Data e sotme 16 mars, i është ndarë ditës ‘pa selfie’. Në epokën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale, shumë prej nesh janë mësuar të ndajnë përmes fotove çdo moment të jetës, çdo ngjarje dhe aktivitet, duke i përfshirë këtu edhe presidentët e shteteve, yjet tanë të preferuar, fytyrat publike, disa prej të cilëve, nuk mund të kalojnë një ditë pa e ndarë një selfie me të tjerët.
Por, janë edhe miqtë tanë të cilët shpesh i bëjnë ato, madje edhe prindërit tanë postojnë ndonjëherë një selfie! Selfie-t janë kudo – në bloge, Facebook, Twitter dhe sidomos në Instagram. Mirëpo, kur i bëjmë foto vetes apo ndryshe selfie, atëherë ajo foto duhet të duket shumë më e bukur dhe kjo, na merr më shumë kohë që ta editojmë. Kompania Britanike Dove, e ka bërë një hulumtim, nga i cili kanë ardhur në përfundim se një vajzë mesatarisht i kalon 1 orë e 24 minuta, duke e edituar një foto, vetëm që ajo foto-selfie, të duket e përsosur për ta postuar në rrjete sociale.
Edhe pse selfie-t mund të jenë një mënyrë argëtuese për të shprehur veten dhe për të mbajtur kujtime, shpesh ato mund të na bëjnë të humbasim lidhjen me momentin aktual dhe të shpërqendrohemi nga përjetimet e jetës reale. Dita e sotme, ‘Pa Selfie’ është një mundësi për t’i dhënë fund këtij cikli dhe për të kaluar një ditë pa ndarë gjithçka me botën.
Kjo ditë mund të jetë një mundësi për të reflektuar mbi ndikimin që ka përdorimi i tepruar i teknologjisë në jetën tonë. Ditën e sotme mund ta kalojmë me miqtë apo familjen, pa e shikuar gjithmonë telefonin, të shijojmë natyrën pa ndaluar për të bërë foto dhe të krijojmë kujtime të sinqerta, pa nevojën për editim fotosh.







