Nga sot, 7 shkurt, deri më 10 shkurt 2020 do të mbahet edicioni i katërt i Universitetit Dimëror të KYATA-s për Studime të Sigurisë, organizuar nga Asociacioni i Paktit Atlantik të Rinisë së Kosovës.
Me këtë rast, Radio KFOR-i ka kontaktuar kryetarin e Asociacionit Pakti Atlantik i të Rinjve të Kosovës, Besim Salihu, i cili ka treguar për aktivitetet që do të organizohen përgjatë këtyre ditëve. “Përveç ligjëratave në kuadër të Universitetit do të ketë edhe një vizitë kulturore në Prizren dhe një vizitë në Kazermën e FSK-së, ku do të provojmë të bëjmë pak diplomaci publike dhe kulturore për vendin, po edhe diplomaci të mbrojtjes. Temat do të jenë të ndryshme, siç janë: Çfarë është NATO dhe vendimmarrja, roli i FSK-së, polica e jashtme e sigurisë së Bashkimit Evropian dhe ndikimi i saj e të tjera. Përveç nga Kosova, në Universitet do të ketë ligjërues edhe nga rajoni, Polonia, Portugalia dhe vende tjera.”
Tutje, Salihu ka ftuar të rinjtë të bëhen pjesë e trajnimeve që organizon KYATA Kosovo, derisa ka treguar disa nga kriteret kyçe që duhet të plotësojnë ata: “Kriteri i parë është të kenë njohuri të gjuhës angleze, kriteri i dytë është që të jenë studentë apo të interesuar për tema të sigurisë dhe politikës së jashtme, ndërsa kriteri i tretë është që të tregojnë motivim për pjesëmarrje në këto trajnime. Pastaj, ne përzgjedhjet i bëjmë bazuar në elementin gjeografik, elementin gjinor e të tjera.”