Të rinj të komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë, do të bëhen bashkë për tri ditë në kuadër të punëtorisë ‘United Youth vs. CoViD-19’, e cila do të nisë punimet sot, më 4 nëntor dhe do të vazhdojë deri me datat 7 dhe 8 nëntor, 2020. Kjo punëtori do të organizohet nga ‘Laboratori i Inovacioneve të zyrës së UNICEF-it’ në Kosovë dhe ‘Programi i Rinisë për Paqe dhe Siguri i UNMIK-ut’, në partneritet me ‘OJQ PEN’ dhe ‘United Youth Task Force’.
Për të mësuar më shumë se çfarë synon ky projekt shumetnik, Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtaren e projekteve në ‘Laboratorin e Inovacioneve të Zyrës së UNICEF-it’, projekt që implementohet nga Organizata ‘Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN’, Aurora Pula, e cila tha: “Duke krijuar grupe multikulturore të të rinjve, të cilët do të punojnë së bashku për të arritur një zgjidhje për sfidat e identifikuara, kjo punëtori synon të ndërtoj ura lidhëse mes të rinjve nga komunitete të ndryshme, mes të rinjve dhe institucioneve, të krijojë zgjidhje dhe të ndërtojë kapacitete të rinjve dhe grave si shtylla të paqes ndëretnike. Në projektet e ardhshme 3-mujore, të rinjtë nga bashkësitë e ndryshme etnike, do të bashkohen për të hartuar, ndërtuar dhe udhëhequr iniciativat e tyre të ideuara për sjelljen e ndryshimeve në komunitetet e tyre. Për më tepër, në Pranverë të vitit 2021, ekipet fituese do të bashkohen me Misionin e Kombeve të bashkuara në Kosovë, UNICEF dhe organizatat kryesore të paqes për të rinjtë si bashkë-organizatorë dhe kontribues në Asamblenë e IV-të, të Rinisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.”
Tutje, Znj. Pula tha se qëllimi i aktiviteteve të tyre është gjithë përfshirja e të rinjve dhe bashkëpunimi mes tyr,e për të arritur zgjidhjen e sfidave të ndryshme në komunitet.