Sot (30 korrik), shënohet “Dita Ndërkombëtare e Miqësisë”, e cila u caktua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, për të promovuar dhe inkurajuar paqen, lumturinë dhe unitetin. Shoqëria dhe miqtë, luajnë një rol të rëndësishëm në jetën tonë dhe me këtë fakt pajtohen edhe dëgjuesit e Radio KFOR-it, të cilët në lidhje me këtë temë, u shprehën:
– “Unë jam Diellza Salihaj, për mua është shumë me rëndësi të kam një shoqe apo një shok të mirë, sepse njeriu ka nevojë të ketë një person të besueshëm, të komunikojë me të kur ka nevojë. Unë e kam një shoqe që nga fëmijëria, por edhe tash në punë ku punoj, i kam disa shoqe shumë të mira, pra kam krijuar raporte shumë të mira me to.”
– “Jam Jeton Babaj, unë kam shumë miq, mirëpo shoqe dhe mikesha më të mira i kam tri gra, nënën time, bashkëshorten dhe motrën. Mendoj se është shumë e rëndësishme të kesh edhe shokë dhe shoqe, sepse të shpëtojnë nga situata të ndryshme.”
Përmes miqësisë ne zhvillojmë lidhje të forta besimi, duke arritur një stabilitet të qëndrueshëm dhe duke shtuar pasion për një botë më të mirë, ku të gjithë janë të bashkuar për një të mirë më të madhe.