Ishte viti 2005, kur hyri në fuqi Konventa Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, e cila u përqafu nga 187 vendet anëtarë të OKB, të cilat shpallën datën 9 dhjetor “Ditë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit”, për t’i shpallë luftë një fenomeni që shkatërron shoqëritë. Ashtu sikurse viteve paraprake edhe sivjet organizata Kosova Democratic Institute, do të mbajë një sërë aktivitetesh të cilat do të shtrihen përgjatë muajit dhjetor. Kështu tregoi për Radio KFOR-in Menaxheri i Programit për Transparencë dhe Anti-Korrupsion në KDI, Arben Kelmendi: “Do të kemi shume aktivitete përgjatë këtij muaji, filluar nga gara “Fotografo Korrupsionin!”. Këtë vit shënojmë vitin e 5-të të kësaj gare, tashmë tradicionale, ku sivjet nën titullin “A din qysh me fotografu korrupsionin?” tash e një muaj kemi inkurajuar të gjithë qytetarët që të realizojnë fotografi përmes së cilës pasqyrojnë korrupsionin dhe pasojat që sjell në jetën e përditshme. E pikërisht sot, më 9 dhjetor do të shpallim edhe 3 fituesit përmes një ceremonie ku janë 3 shpërblime modeste për fotografitë e vlerësuara nga juria profesionale. Sa i përket aktiviteteve të tjera, do të jemi pjesëmarrës në tryeza të organizuara nga organizata ndërkombëtare në Kosovë, tryeza këto që trajtojnë luftën kundër korrupsionit.”
Z. Kelmendi shtoi gjithashtu se rëndësia e “Ditës Ndërkombëtare Kundër Korriupsionit” qëndron në vetëdijesimin e shoqërive gjithandej botës kundër një fenomeni si korrupsioni dhe aprovimi Konventës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit është një moment i caktuar në historinë e shoqërisë njerëzore, për të krijuar mekanizma ligjor obligativ kundër një problemi të madh shoqëror siç është korrupsioni.