Çdo vit, më 4 maj, bota nderon një nga profesionet më të guximshme dhe jetike të shoqërisë – zjarrfikësit. Kjo ditë njihet si ‘Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve’ dhe shërben si një homazh për të gjithë ata burra dhe gra, që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetët e të tjerëve.
‘Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve’, u vendos më 4 maj, të vitit 1999, pas një ngjarjeje tragjike në Australi, ku pesë zjarrfikës humbën jetën gjatë përpjekjes për të shuar një zjarr të madh pyjor, në Linton, të Victoria’s. Ngjarja tronditi komunitetin ndërkombëtar dhe solli një ndjenjë solidariteti global mes zjarrfikësve dhe qytetarëve që dëshironin të nderonin jetën dhe punën e tyre.
Kjo datë, përkon gjithashtu me festën e Shën Florjanit, i cili njihet si mbrojtësi i zjarrfikësve. Në shumë kultura, Shën Florjani simbolizon mbrojtjen, guximin dhe sakrificën.
Nëse jeni ndalur ndonjëherë për të parë një zjarrfikës në rrugë, në uniformë, sot mos hezitoni tu thoni atyre një “faleminderit”. Ndoshta për ju është një vlerësim i vogël, mirëpo por për zjarrfikësit është një vlerësim i madh.







