‘Dita Botërore e Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ)’ u themelua fillimisht në vitin 2009, nga Marcis Liors Skadmanis, një sipërmarrës social. Kjo ditë u shënua për herë të parë më 27 shkurt, të vitit 2014, për të nderuar të gjitha organizatat joqeveritare-jofitimprurëse dhe për të njohur ndikimin e tyre në botë. ‘Dita Botërore e OJQ-ve’ është një ditë e caktuar për të njohur, festuar dhe nderuar, kontributet por edhe ndikimin e thellë që këto organizata të pavarura kanë në botë.
Tema e cila është caktuar sivjet për shënimin e ‘Ditës Botërore të OJQ-ve’, është “Ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme: Roli i OJQ-ve në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Kjo temë thekson rolin kritik që OJQ-të luajnë në adresimin e sfidave globale dhe punën drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme, në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të përcaktuara nga Kombet e Bashkuara. Por, shtrohet pyetja çfarë janë OJQ-të? – OJQ-të janë organizata jofitimprurëse që veprojnë në mënyrë të pavarur nga qeveritë për një sërë çështjesh, që përfshinë: të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, varfërinë e zhvillimin, arsimimin e shëndetësinë si dhe paqen dhe zgjidhjen e konflikteve.
Sot mund të shpërndani, bëni TAG apo të promovoni OJQ-në që ju frymëzon dhe në këtë mënyrë të përkrahni punën e tyre. Bashkërisht mund të mbështesim misionin e tyre, për ndryshime pozitive.