“E ëndërroj pikturën time dhe e pikturoj ëndrrën time”, kështu ka thënë artisti Vincent Willem van Gogh, që mbetet një prej figurave më me ndikim në historinë e artit dhe kjo thënie e tij, në fakt tregon lidhjen e ngushtë në mes të imagjinatës dhe procesit të krijimit, që e ka çdo artist, pavarësisht se në cilën fushë është krijues.
E sot, me 25 tetor, kremtojmë “Ditën Ndërkombëtare të Artistëve”, përmes së cilës vlerësojmë artin dhe krijuesin e tij. Arti ka qenë një pjesë e rëndësishme e përvojës njerëzore dhe është i vjetër sa vetë jeta. Të dhënat e para të botës nuk janë shkruar në libra, por në piktura, skulptura dhe muzikë, të cilat na ndihmojnë për të pikturuar një pamje të botës në të kaluarën.
“Dita Ndërkombëtare të Artistëve”, është themeluar nga Chris MacClure, një artist kanadez i specializuar në stilin e njohur si “Realizmi Romantik”. Pikturat e tij ishin një mënyrë për të nxjerrë në pah pikëpamjet e tij “realiste romantike” mbi jetën dhe kanë shërbyer për ta bërë atë një nga artistët më të rëndësishëm të Kanadasë. Prandaj në “Ditën Ndërkombëtare të Artistëve”, nderojmë të gjithë ata shpirta krijues që bënë historinë e botës të njihet nga të gjitha brezat, pikërisht përmes veprave të tyre të pavdekshme.







