Rrjeti i Edukatorëve Bashkëmoshatarë – PEN, ka njoftuar se sot, më 30 maj, do të mbyllet aplikimi për edicionin më të ri të UPSHIFT. Për të kuptuar më shumë rreth këtij procesi të aplikimit, Radio KFOR-i ka kontaktuar me Koordinatoren e Marrëdhënieve me Publikun në PEN, Eldena Dakaj: “Si iniciativë kryesore e laboratorit, UPSHIFT kombinon disa nga qasjet drejt zhvillimit të rinisë dhe adoleshentëve, inovacionit social dhe sipërmarrjes, për të fuqizuar rininë dhe adoleshentët e margjinalizuar, për t’u bërë novator dhe sipërmarrës socialë. Duke përdorur teknika të avancuara të mësimit, UPSHIFT u mëson të rinjve dhe adoleshentëve se si të kuptojnë sfidat e komunitetit dhe të krijojnë zgjidhje të efektshme në formë të produkteve ose shërbimeve.”
UPSHIFT si program, ka filluar qysh nga viti 2014 dhe që nga ajo kohë nuk është ndalur asnjëherë. Ideja ka lindur duke parë shumë të rëndësishme ngritjen e kapaciteteve të të rinjve, me teknikat e shekullit 21.