Sot (15.12.20), duke filluar nga ora 15:00, në Kino Armata do të mbahet ceremonia përmbyllëse e ‘Architech Festival’, i cili këtë vit është realizuar gjatë periudhës gusht-nëntor, 2020.
Në këtë ceremoni, të organizuar nga Kuvendi Rinor i Prishtinës, do të promovohet botimi i katalogut si produkt i ‘Architech Festival’, i cili përmban të gjitha projektet e dala nga punëtoritë e Festivalit në fjalë. Radio KFOR-i ka kontaktuar drejtoreshën e ‘Architech Festival’, Kosovare Sadiku, e cila tregoi se cili është qëllimi i mbajtjes së këtij Festivali: “Ka pasur tri punëtori në kuadër të këtij Festivali dhe secila ka zgjatur nga një muaj dhe ka trajtuar tema të ndryshme. Më pas, nga secila punëtori kanë dalë projekte. Ky Festival ka për qëllim që të rrisë vetëdijen për hapësirat e përbashkëta kolektive, pasi e dimë se si trajtohet prona publike në shoqërinë tonë. Qëllimi i dytë ka qenë që t’i fuqizojmë të rinjtë në profesionin e tyre, prandaj kemi marrë mentorë që kanë përfunduar studimet master, qoftë brenda apo jashtë vendit, në mënyrë që të përcjellin dhe shkëmbejnë njohuritë dhe përvojat e tyre tek gjeneratat e reja.”
Në ceremoninë e sotme po ashtu do të prezantohen 9 projekte para jurisë profesioniste, e cila pastaj do të bëjë përzgjedhjen e 3 projekteve më të mira, nga një prej secilës punëtori, të cilat pastaj do të implementohen në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.