Data e sotme, 10 dhjetor, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Kafshëve”, përmes së cilës bëhen thirrje për mbrojtjen dhe trajtimin human të të gjitha gjallesave.
Kjo ditë u krijua për të rikujtuar “Deklaratën Universale të të Drejtave të Kafshëve”, e cila promovon njohjen dhe mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, pavarësisht llojit, madhësisë apo vendit të tyre në zinxhirin ushqimor. Kafshët, si qenie të ndjeshme dhe të vetëdijshme, përjetojnë emocione, dhimbje dhe frikë. Megjithatë, në shumë raste ato trajtohen si objekte dhe përballen me kushte të vështira dhe të padrejta në industri të ndryshme, përfshirë bujqësinë intensive, laboratorët e kërkimit dhe tregtinë e kafshëve shtëpiake. Aktivistët për të drejtat e kafshëve argumentojnë se ne kemi një përgjegjësi morale për t’i trajtuar kafshët me dinjitet, duke përfshirë përpjekje për t’i mbrojtur nga dhuna dhe për t’iu siguruar kushte humane jetese. Prandaj sot, teksa shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Kafshëve” inkurajohen të gjithë individët, organizatat dhe qeveritë të marrin masa për të përmirësuar jetën e kafshëve. Rëndësia e respektit dhe kujdesit ndaj kafshëve është një thirrje për të ndërtuar një botë më humane dhe të drejtë, ku çdo qenie e gjallë ka të drejtën të jetojë me dinjitet dhe mbrojtje.







