Data e sotme, 3 dhjetori, shënon “Ditën Ndërkombëtare të Personave më Aftësi të Kufizuara” dhe gjatë kësaj dite bëhen thirrje për të rritur ndërgjegjësimin, për të promovuar të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuar, ashtu sikurse është edhe një ditë për të festuar kontributet që personat me aftësi të kufizuar, sjellin në komunitet dhe në shoqëri. Për të shënuar këtë ditë, çdo vit Organizata e Kombeve të Bashkuara cakton një temë, e cila sivjet thotë kështu “Fuqizimi i rolit udhëheqës të personave me aftësi të kufizuar, për një të ardhme gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”. Krijimi i një mjedisi ku të gjithë kanë qasje të barabartë në edukim, punë, shërbime shëndetësore dhe pjesëmarrje sociale, janë ndër çështjet që i adreson “Dita Ndërkombëtare e Personave më Aftësi të Kufizuara”, e cila gjithashtu është një thirrje për qeveritë, organizatat dhe individët që të angazhohen në ndërtimin e një shoqërie pa barriera fizike dhe sociale.
Pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë e personave me aftësi të kufizuar është thelbësore për një shoqëri më të bashkuar dhe më të drejtë. Përfshirja fillon që nga familja, vendi i punës, shkolla dhe kalon përmes nismave qeveritare e politike, për të siguruar që të gjithë të kenë mundësi të barabarta për të ndjekur ëndrrat dhe potencialin e tyre. Prandaj, teksa përpiqemi për një të ardhme më të mirë, le të kujtojmë se përfshirja e personave me aftësi të kufizuar, nuk është vetëm një detyrim moral, por është një përfitim për gjithë shoqërinë, duke e bërë shoqërinë tonë më të larmishme dhe më të fortë.