Çdo vit “Java e Ndërgjegjësimit mbi Trurin” shënohet nga data 10 mars dhe mbahet deri më 16 mars, një fushatë kjo globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e shëndetit të trurit, për çrregullimet neurologjike dhe për mundësitë e përmirësimit të funksionimit të trurit. Kjo javë ofron mundësi për të mësuar më shumë për sëmundjet që prekin trurin dhe si mund të parandalohen apo trajtohen ato.
Kjo javë përfshin një sërë aktivitetesh dhe ngjarjesh të organizuara nga shkencëtarë, mjekë, edukatorë dhe organizata të tjera në mbarë botën, si: leksione dhe seminare publike, ekspozita dhe demonstrime shkencore, aktivitete edukative në shkolla dhe universitete, fushata të ndërgjegjësimit në media sociale dhe platforma të tjera si dhe shpërndarja e informacionit rreth sëmundjeve si: Alzheimer, Parkinson, Skleroza multiple, etj.
Truri është organi më kompleks dhe më i rëndësishëm në trupin tonë. Sëmundjet dhe çrregullimet e trurit prekin miliona njerëz në mbarë botën, prandaj rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin e trurit mund të çojë në diagnostikim dhe trajtim të hershëm dhe më të mirë.