‘Festivali mbarëkombëtar për fëmijë – Vihuela Fest’ sot (27.06.22), duke filluar nga ora 16:00, do të mbajë edicionin e nëntëmbëdhjetë me radhë, ku pritet të mbledhë në Teatrin “Faruk Begolli” në AAB, fëmijë të talentuar, njëherit solist nga shumë vende të rajonit.
Për të mësuar më shumë rreth këtij festivali, Radio KFOR-i kontaktoi, Menaxherin e Festivalit në fjalë, z. Ehad Dula, i cili tha: ‘Në festivalin e sotëm, do të marrin pjesë shumë fëmijë nga Kosova, mirëpo edhe nga vendet e rajonit. Sot do të garojnë gjithsej 21 solistë, ku do të ndahen çmime në tri kategori, sipas moshës së solistëve. Aty do të ndahet çmimi kryesor i festivalit “Vihuela Fest 2022”, pastaj vendi i parë, i dyti dhe i treti. Do të ndahen edhe çmime të tjera si: ‘Interpretimi më i mirë’, ‘Teksti më i mirë’, ‘Kompozimi më i mirë’, ‘Orkestrimi më i mirë’, ‘Çmimi i publikut’, ‘Dueti më i mirë’, ‘Çmimi Grand Prix’ dhe ‘Paraqitja skenike më e mirë’. Me këtë rast, do të shfrytëzojë rastin, që të gjithë fëmijëve pjesëmarrës, ti uroj suksese.”
‘Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë – Vihuela Fest’ përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Komuna e Prishtinës dhe Festivali organizohet në kuadër të Shkollës së Muzikës ‘Vihuela’, në Prishtinë e cila këtë vit shënon 20 vjetorin e themelimit të saj.