23 qershori, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Grave në Inxhinieri” dhe kjo ditë është një fushatë ndërkombëtare ndërgjegjësimi, që feston punën dhe arritjet e grave inxhiniere. Kjo ditë, fillimisht është lansuar në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2014, me iniciativë të Shoqatës së Grave Inxhiniere (WES) dhe që nga atëherë edhe sot, ka për mision që të frymëzojë brezin e ardhshëm të vajzave që të ndjekin karrierë në inxhinieri dhe të promovojë barazinë gjinore në profesionet e inxhinierisë. Me përparimin e teknologjisë dhe zgjerimin e infrastrukturës, kërkesa për ekspertizë në inxhinieri, po rritet në mbarë botën. Megjithatë, pavarësisht mundësive në rritje, gratë mbeten të nën-përfaqësuara në rolet e inxhinierisë. Sipas Byrosë së Statistikave të Punës në SHBA, gratë përbëjnë rreth 13% të inxhinierëve atje. Australia ka shifra të ngjashme, ndërsa Mbretëria e Bashkuar ka vetëm 9%. Prandaj, “Dita Ndërkombëtare e Grave në Inxhinieri” është fushatë ndërkombëtare që kërkon të inkurajuar më shumë gra që të ndjekin karrierë në inxhinieri. Kjo iniciativë thekson jo vetëm përfitimet e diversitetit gjinor në vendin e punës, por edhe rëndësinë e grave inxhiniere, si modele për brezat e ardhshëm.
#INWED2025 #WomenInEngineering #DiversityInEngineering







