“Pianoja është më shumë se një instrument, është një strehë shpirtërore ku emocionet gjejnë zërin e tyre dhe meloditë shndërrohen në jehona të përjetshme” – kjo është një nga qindra e mijëra thëniet e thurura për instrumentin, të cilit i është ndarë edhe një datë në kalendarin e festave botërore.
Data e sotme 28 mars, është dita e 88-të e vitit dhe pikërisht sot, shënojmë “Ditën Botërore të Pianos”, dedikuar instrumentit që ka shoqëruar dhe frymëzuar gjenerata të tëra. Muzikantët dhe dashamirësit e muzikës festojnë për instrumentin që me tingujt e saj të pasur dhe emocionalë, ka zënë një vend të veçantë në historinë e muzikës klasike, jazz-it, pop-it dhe pothuajse të çdo zhanri tjetër muzikor.
“Dita Botërore e Pianos” nuk është festë vetëm për interpretuesit profesionistë, por edhe për të gjithë ata që e duan muzikën dhe dëshirojnë të eksplorojnë kreativitetin e tyre përmes këtij instrumenti. Gjatë ditës së sotme, koncertet, performancat dhe aktivitetet edukative kudo në botë synojnë të promovojnë muzikalitetin, talentin dhe dashurinë për tingujt që vetëm një piano mund t’i ofrojë.







