Macet kalojnë 70% të jetës së tyre duke fjetur, që përfshin 13 deri në 16 orë gjumë në ditë. Në vitin 1988, një producent anglez dhe njëherit multimilioneri Ben Rea, në testamentin pas vdekjes së tij, gjithë pasurinë milionëshe i kishte lënë maces së tij Blackie, duke e bërë atë edhe macen më të pasur në botë që është pjesë edhe e rekordeve Guinness.
Për të nderuar macet dhe ndikimin e tyre në jetën tonë, sot me 8 gusht, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Maceve’, që për herë të parë u shënua në vitin 2002 nga Fondi Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve, për të vlerësuar dhe nderuar një nga kafshët shtëpiake më të njohura në planet.
Shumica e anglezëve dhe amerikanëve mbajnë një mace në shtëpi, si një nga kafshët më të dashura për ta. Po ashtu, Stambolli njihet edhe si ‘Qytet i maceve’, ku qytetarët janë shumë të kujdesshëm ndaj tyre duke ju ofruar ushqim dhe ujë.







