Mendojeni pak: Kush ju ka bërë të lumtur herën e fundit, kush ka bërë shumë për ju gjatë gjithë jetës suaj, kush ua rikthen buzëqeshjen sa herë që ju ngryset fytyra, me kë keni bisedat më të këndshme?!! Mendoni sot, për secilin që ka rëndësi në jetën tuaj dhe që kanë bërë të mira në jetën tuaj, në një farë mënyre dhe falënderoni ata.
Data e sotme, 11 janar, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare të Falënderimeve”, e cila na shërben si një kujtesë, se ne duhet të shprehim mirënjohjen tonë, për ata persona që i duam dhe na duan dhe që na e bëjnë jetën më të lehtë e më të bukur, në shumë mënyra. Jo rastësisht “Dita Ndërkombëtare e Falënderimeve” shënohet në muajin janar, pasi është muaji me të cilin fillojmë vitin, e ku ka më mirë që të shprehim mirënjohje dhe ta fillojmë vitin duke falënderuar.
Prandaj, sot shprehni mirënjohje të gjithë atyre që kanë bërë të mira për ju, në momente kur ju keni pasur nevojë më së shumti dhe mos harroni që fjala ‘faleminderit’, të jetë fjala që do të zë vend në përditshmërinë tuaj, sepse ashtu sikurse kanë thënë shumë psikologë, të qenit mirënjohës dhe falënderues, na bënë të jemi më të lumtur.