Çdo vit, në të shtunën e fundit të muajit prill, shënohet “Dita Botërore e Veterinarisë”, një datë e veçantë për të nderuar punën e veterinerëve në mbarë botën, në mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, të njerëzve por edhe të mjedisit.
Organizuar nga Shoqata Botërore Veterinere (WVA) dhe mbështetur nga Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), kjo ditë fokusohet sivjet në konceptin “Shëndet i vetëm”, i cili nënvizon lidhjen e pandashme mes shëndetit të kafshëve, njerëzve dhe ekosistemit. Veterinerët janë në vijën e parë të mbrojtjes kundër sëmundjeve zoonotike apo ngjitëse që vijnë nga kafshët dhe luajnë një rol jetik në sigurinë ushqimore, mirëqenien e kafshëve dhe kujdesin për kafshët shtëpiake, që janë pjesë e jetës sonë të përditshme.
Kjo ditë është gjithashtu një mundësi për të shprehur mirënjohje ndaj profesionistëve veterinerë, të cilët shpesh punojnë në kushte sfiduese për të ofruar shërbime që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin publik.