11 Shkurti shënon ‘Ditë Evropiane të 112-shit’, numrit emergjent Evropian dhe qëllimi i kësaj dite është ngritja e vetëdijes tek të gjithë për rëndësinë e qasjes në këtë numër.
Drejtori në Departamentin e Operatives në Agjencin e Menaxhimit Emergjent, Mustafë Gashi, theksoi se numri 112 funksionon 24 h në ditë dhe 7 ditë në javë dhe për dëgjuesit e Radio KFOR-it ai tregoi edhe për rëndësinë e kësaj dite për qytetarët e Kosovës:
“Nevoja e krijimit të këtij numri unik, është që thjeshtë qytetarët ta mbajnë në mend vetëm një numër. Të mos kenë probleme që ti mbajnë në mend numrat e çdo institucioni tjetër. Pra, përmes një numri, tu vijnë në ndihmë të gjitha shërbimet e nevojshme, qofshin ato të policisë, të zjarrfikjes, të shërbimit mjekësor emergjent apo edhe të ndonjë shërbimi tjetër të çfarëdo natyre”, tha z. Gashi.
Kjo ditë është themeluar në vitin 2009 dhe në këtë datë shënohen aktivitete të ndryshme në Evropë, për të promovuar numrin emergjent 112. Raportohet se më pak së gjysma e qytetarëve të Evropës kanë njohuri për numrin emërgjent 112.
Për këtë arsye, kjo ditë është e rëndësishme për të informuar qytetarët se në çfarë rastesh ata mund të thërrasin 112-shin dhe të udhëzohen përmes këtij numri se çfarë të bëjnë në një rast emergjent.