Një moment vendimtar për përcaktimin e ekipeve që do të avancojnë në fazat e eliminimit direkt, do të shënohet sot, meqë do të luhen ndeshjet e fundit të fazës së grupit në UEFA Champions League. Kjo është hera e parë që ky format i ri, i njohur si “sistemi zviceran”, aplikohet në këtë garë sportive prestigjioze.
Sipas këtij formati, 36 ekipe garojnë në një tabelë të vetme, ku secila skuadër luan tetë ndeshje kundër kundërshtarëve të ndryshëm. Tetë ekipet e para në renditje do të kualifikohen direkt në raundin e 16-shes, ndërsa ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-tin, do të marrin pjesë në play-off, për të siguruar një vend në këtë fazë. Ekipet që përfundojnë nga vendi i 25-të e poshtë, do të eliminohen nga gara.
Ndeshjet e sotme (29 janar), do të luhen të gjitha në orën 21:00, për të siguruar një garë të drejtë dhe transparente. Ndër përballjet kryesore të kësaj dite, janë: Barcelona – Atalanta, Brest – Real Madrid, Inter – Monaco, Dinamo Zagreb – Milan, Juventus – Benfica, PSV – Liverpool, Manchester City – Club Brugge dhe Girona – Arsenal.
Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së ligës, shorti për fazën e eliminimit direkt do të mbahet më 31 janar, 2025. Raundi i 16-shes do të fillojë më 11 shkurt, 2025, duke çuar drejt finales së madhe që do të zhvillohet më 31 maj, 2025, në Allianz Arena, në Mynih. Ky sezon i UEFA Champions League ka sjellë ndryshime të rëndësishme në format, duke premtuar një garë më emocionuese dhe konkurruese për tifozët e futbollit anembanë botës.







