Dërgimi i një letre, është një nga veprimet më ideale, për t’i treguar tjetrit që ju, po interesoheni për të dhe pikërisht sot, është dita ideale për të dërguar një letër dikujt që ju e keni për zemër. Çdo vit, me 9 tetor, shënohet ‘Dita Botërore e Postës’, e cila kujton krijimin e ‘Unionit Universal Postar‘, në vitin 1874, të përbërë nga 192 shtete, të cilat japin kontributin e tyre për shoqërinë dhe ekonominë globale.
Me rastin e kësaj dite, Radio KFOR-i kontaktoi pronarin e postës ‘Mik Mik’‚ z. Enur Pakashtica, i cili tregoi se kjo postë, është themeluar në fillim të vitit 2019, ku deri më tani ka 100 punëtorë, të cilët e mbulojnë 100% territorin e Kosovës si dhe dërgesat nga momenti i pranimit dërgohen brenda 24 orëve kudo në Kosovë. I pyetur se çfarë aftësish duhet të ketë një postier?, – z. Pakashtica, tha:
“Një postieri i duhen aftësitë e vozitjes dhe reagim të shpejtë në situata të caktuara, në organizimin e logjistikës për terrenin e tij. Gjeneratat e reja janë mjaft të motivuar të punojnë si postier. Edhe pse nuk është punë e lehtë për tu bërë, ndoshta dashuria e tyre ndaj makinave dhe ngasjes, ka ndikuar që të ketë dashuri në punën që e bëjnë.”
Sot në ‘Ditën Botërore të Postës’, është edhe ‘Unioni Universal Postar’ që organizon një konkurs ndërkombëtar të shkrimit të letrave për fëmijët deri në moshën 15 vjeç, për të promovuar shkrim-leximin dhe për të mbajtur gjallë dhe mirë emocionet e pritjes së postës.