Matematika formon gjithçka që na rrethon, nga teknologjia në duart tona e deri te rregullat e natyrës. Më 14 mars, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare e Matematikës, e njohur ndryshe edhe si Dita e Pi-së, për nder të konstantës më të famshme matematikore, vlerës 3.14.
Por, ku filloi gjithçka? Ndonëse numërimi i thjeshtë daton që nga parahistoria, matematika si shkencë e mirëfilltë mendohet të ketë nisur rreth 3.000 vite para Krishtit në Mesopotaminë e lashtë dhe Egjipt, ku lindi nevoja për matjen e tokës, tregtinë dhe vëzhgimin e yjeve.
UNESCO e ka shpallur këtë datë si një moment reflektimi mbi rëndësinë e shkencës në zgjidhjen e sfidave globale, si ndryshimet klimatike dhe inteligjenca artificiale.
Pavarësisht nëse jeni adhurues i numrave apo jo, sot është dita për të vlerësuar saktësinë dhe bukurinë që matematika sjell në jetën tonë të përditshme.







