Data e sotme 1 dhjetori, shënon ‘Ditën Botërore të HIV/AIDS-it’, që ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për sëmundjen e HIV-it. Kjo ditë u krijua në vitin 1988, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, për të reflektuar mbi përparimet që janë bërë në trajtimin dhe parandalimin e HIV/AIDS-it si dhe për të theksuar nevojën për edukim e mbështetje, për ata persona që janë të prekur nga ky virus.
HIV është një virus që sulmon sistemin imunitar të trupit, duke e bërë individin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve dhe sëmundjeve të tjera. HIV transmetohet kryesisht përmes gjakut, lëngjeve të trupit si dhe nga nëna te fëmija gjatë lindjes ose ushqyerjes me gji.
Sipas të dhënave nga Kombet e Bashkuara, më shumë se 38 milionë njerëz në botë jetojnë me HIV. Në vitet e fundit, ka pasur përparime të mëdha në trajtimin e HIV-it. Dita e sotme shërben edhe si një mundësi për të luftuar stigmatizimin dhe diskriminimin që u bëhet personave të prekur me HIV.







