Kanë kaluar tri javë që nga fillimi i Kampionatit Evropian “Gjermani 2024’’, për të vazhduar tutje me një mbrëmje spektakolare që pritet të zhvillohet sonte, në mes të dueleve çerekfinale, nga dy klasikët absolut të futbollit evropian.
Bazuar në komentet e njohësve të futbollit, Spanja dhe Gjermania dhanë më së shumti gjatë këtij Evropiani dhe ishin ata që u panë në finale, por kjo nuk u bë e mundur për shkak të shortit, pasi ‘topat’ parashikonin që këto dy përzgjedhje të takoheshin në çerekfinale.
Spanja i mposhti me lehtësi të gjithë rivalët e saj në këtë kampionat evropian, ndërsa Gjermania i mundi të gjithë përveç zviceranëve. Ndeshja mes Spanjës dhe Gjermanisë do të luhet në MHP Arena në Shtutgart me fillim nga ora 18:00, ndërsa dueli mes Portugalisë dhe Francës fillon në orën 21:00, në stadiumin Volkspark të Hamburgut.







