Skizofrenia është një sëmundje serioze mendore që sipas ‘Organizatës Botërore të Shëndetësisë’, prek më shumë se 21 milionë njerëz në mbarë botën. Skizofrenia është një gjendje mendore shumë komplekse, që mund të ndikojë në mënyrën se si një person mendon, ndjen dhe përjeton botën përreth tij. Dita e sotme, 24 Maj, shënon ‘Ditën Botërore të Skizofrenisë’, për të nderuar edhe Dr. Philippe Pinel, nga Franca, i cili ishte një nga figurat më të rëndësishme në trajtimin e të sëmurëve me këtë sëmundje. Për shënimin e kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me psikiatrin dhe profesorin, Dr. Naim Fanaj, i cili tregoi më shumë rreth këtij çrregullimi mendor: “Skizofrenia është një çrregullim serioz mendor, që godet mosha të ndryshme të njerëzve, duke u shkaktuar dëmtime në sferën mendore dhe në aftësitë e përditshme. Dëmtimi që sjell kjo sëmundje, në të shumtën e rasteve shkakton probleme në funksionimin individual, familjar, profesional dhe shoqëror. Halucinacionet, deluzionet si dhe dëmtimet tjera, e pamundësojnë funksionimin e zakonshëm të mendjes. Kjo ka rrjedhë kronike, me faza të përkeqësimit dhe të remisionit. Vetëm një e treta e këtyre personave, arrijnë të mbajnë një funksionim sado pak të pavarur, ndërsa disa të tjerë për shkak të dëmtimeve mendore zakonisht kërkojnë mbështetjen e përhershme nga familja dhe shoqëria.”
Sipas Dr. Fanaj, shkaqet e këtij çrregullimi janë të shumta dhe ende nuk ka një arsye që e lidh zhvillimin e skizofrenisë tek njerëzit. Megjithatë, aspektet gjenetike, anomalitë strukturale të trurit dhe faktorë të tjerë psikosocial, lidhen me skizofreninë.