Për disa shtete, që nga dhjetori i vitit të kaluar jeta ka ndryshuar plotësisht, e për disa të tjera, që nga muaji mars i vitit 2020, kjo si pasojë e virusit ‘Covid-19’, i cili ka ndikuar që bota të ndaloj së funksionuari, në shumë aspekte.
Përmes artikujve të shumtë, ju kemi sjell pikëpamje të ndryshme nga profesionistë shëndetësorë, të cilët na ka informuar për pasojat e virusit dhe izolimit edhe në shëndetin tonë mendor, por si do të jetë jeta jonë pas përfundimit të këtij virusi?! Për këtë çështje, Radio KFOR-i ka realizuar disa intervista me profesionistë shëndetësorë dhe me qytetarë.
Psikologu klinik, Visar Sadiku, tregoi se situata me ‘Covid-19’, ka shkaktuar vështirësi edhe në aspektin e shëndetit mendor, sidomos tek ata që i janë ekspozuar vazhdimisht mediave lidhur me virusin, ndërsa për gjendjen pas virusit, ka këtë këndvështrim: “Me kalimin e situatës, është e mundur që personat të cilët kanë pasur vështirësi me ankthin, të vazhdojnë të mbajnë kontakte më të pakta me të tjerët dhe të vazhdojnë me aplikimin e masave mbrojtëse edhe kur do të jenë të panevojshme. Kjo vlen për personat të cilët kanë pasur shqetësime me ankthin. Është e rëndësishme të adresohen tek psikologu, në mënyrë që të asistohet ri-integrimi i plotë dhe i suksesshëm i tyre, sepse abstinenca nga shërbimet psikologjike kur ato janë të nevojshme, mund ta përkeqësoj kualitetin e jetës së tyre emocionale dhe sociale.”
Doktori i Qendrës së Mjekësisë Urgjente, Shpend Rrustemi, i cili u zgjodh edhe punonjësi i ditës së martë (13.05.20) nga Komuna e Prishtinës, konsideron se jeta pas virusit, më nuk do të jetë njësoj: “Jeta jonë pas kalimit të këtij virusi, do të jetë ndryshe edhe në aspektin social, ku distanca fizike dhe sociale do të jenë evidente për një kohë të gjatë, nga frika e rikthimit të këtij virusi. Ndoshta do ta kemi të vështirë si shoqëri të pajtohemi me rregullat e reja të jetës, të cilat na imponohen, por asnjëherë nuk duhet ta humbasim besimin, forcën dhe dijen.”
Përveç anëve negative tashmë të ditura, ky izolim ka edhe anët pozitive të tij. Përmes rrjeteve sociale, çdo ditë po shohim talentë të ndryshëm në profile të ndryshme. Së fundmi, na fascinoi me pikturat e saja, Fitore Gjonbalaj Dumnica, të cilës i shërbeu karantina për zbulimin e këtij talenti. Zonja Dumnica, na tregoi se për të larguar vëmendjen nga lajmet e përditshme rreth virusit, angazhon vajzat e saj për të kënduar së bashku dhe për të realizuar aktivitete të ndryshme, të cilat do të mundohet ti realizoj pasi të ketë përfunduar ky virus: “Duke qëndruar gjatë gjithë kohës në shtëpi, për ti argëtuar edhe anëtarët e familjes, mundohem që të jem sa më kreative, përmes këndimit bashkë me vajzat e mia, jam bërë kuzhiniere shumë më e zonja dhe së fundmi çuditërisht nisa të pikturoja disa piktura që do ti ruaj si kujtim nga karantina. Mund të them që ky izolim, krahas vështirësive evidente, ka ndikuar pozitivisht tek unë. Jam njoftuar me një grua të re brenda vetes sime, e kjo po më pëlqen.”