Gratë që këtë vit janë shtatzëna qoftë për herë të parë apo jo, përveç vështirësive të tjera që zakonisht ndodhin gjatë procesit 9 muajsh të shtatzënisë, këtë vit po përballen edhe me një frikë të shtuar, me virusin ‘Covid-19’. Se si po e përjeton fazën e saj të shtatzënisë në këtë kohë pandemie, Radio KFOR-it i tregoi zonja Njomza Doçi Bacaj, e cila mes tjerash pohoi: “Ka momente që mundohem ta harroj virusin, duke dashur që ta ruaj shëndetin tim mendor dhe të frytit që po rritet brenda meje dhe të përqendrohem tërësisht në konsumim të ushqimeve sa më të shëndetshme, duke pushuar sa më shumë dhe po ashtu duke e ruajtur qetësinë jo veç timen, por edhe të djalit tim Blinit, i cili mezi po e pret ardhjen në jetë të motrës së tij. Nuk mund të them që kohë pas kohe nuk kam frikë, por megjithatë po mundohem ta tejkaloj duke lexuar, duke dëgjuar muzikë relaksuese dhe duke u marrë me mirëqenien e djalin tim”, nënvizoi Njomza.
Sipas studimeve të vazhdueshme që ekspertët shëndetësorë po bëjnë, nuk ka asnjë provë që Virusi Covid-19 mund të shkaktoj abort spontan ose të ndikoj në zhvillimin e foshnjës gjatë shtatzënisë.