Për shkak të 21 Marsit – “Ditës Botërore të Sindromit Down“, aktivistë të të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta, mësues, prindër e donatorë përmes një aktiviteti të veçantë kanë shënuar këtë ditë, duke bërë tok të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta, nga klasat e Shkollës së Mesme të Ulët në Podujevë “Kongresi i Manastirit”. Aktivisti dhe Kryetari i Këshillit të Prindërve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta, Z. Shefqet Miftari, ka treguar se qëllimi i këtij aktiviteti është buzëqeshja në fytyrat e këtyre fëmijëve dhe ndër të tjera shtoi: “Është një aktivitet ku i kemi ftuar të gjithë fëmijët që t’i bëjmë ata të buzëqeshur. Së bashku me ndihmën e mësueseve dhe donatorëve të shumtë, ne vazhdimisht organizojmë aktivitete të ndryshme. Duhet patjetër me i përmend mësueset, për të cilat ne prindërit kemi shumë fat që i kemi, është Remzie Hoxha-Gërguri, Dafina Syla dhe Miradie Islami-Gashi, të cilat janë shumë të kujdesshme, shumë të përkushtuara aq shumë sa fëmijët tanë mezi presin të shkojnë në shkollë, me qenë me mësueset.”
Mësimdhënësja e fëmijëve me nevoja të veçanta, Remzie Hoxha-Gërguri, e cila në vitin 2019 është shpërblyer për mundin dhe përkushtimin me çmimin “Mësuesja e Vitit”, në komunën e Podujevës, për Radio KFOR-in tregoi se sa e lumtur ndihet me punë që bënë ajo çdo ditë: “Në klasë ku unë jam mësimdhënëse, kam 7 nxënës dhe me secilin punojmë me plane individuale. Profesioni im megjithëse mund të duket i vështirë në raste të caktuara, krahas përvojës dhe përgatitjes që kam, puna ecë vetë, rezultatet arrihen, dita shkon shpejt. Mua më krijon kënaqësi të madhe kur e shoh që këta fëmijë po arrijnë rezultate. Kjo më përmbushë, e sa do i vogël mund të jetë ai rezultat, për këta fëmijë do të thotë një hap i madh. Çelësi i suksesit është bashkëpunimi me prindërit, është e pamundur të arrihen rezultate pa bashkëpunimin me prindërit, të cilët bashkë me mësimdhënësin, janë urë lidhëse drejt suksesit. Mesazhi nga kjo ngjarje është që të gjithë duhet t’i mbështesim fëmijët me nevoja të veçanta, këta janë pjesë e barabartë e shoqërisë dhe të gjithë jemi njësojë.”
Znj. Remzie Hoxha-Gërguri, apeloi tek të gjithë që të krijohen mundësi që të gjithë fëmijëve të shoqërisë tonë, t’u krijohen mundësi që të gjithë të jenë të barabartë dhe të vijojnë shkollimin.