Shkrim-leximi është hapi i parë drejt dijes, mendimit kritik dhe vetëbesimit. Sipas UNESCO’s, më shumë se 750 milionë njerëz në botë, ende nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë, shumica në vendet në zhvillim. Andaj, për të vlerësuar rëndësinë e arsimimit, çdo vit, më 8 shtator, bota shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Shkrim-leximit’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara dhe UNESCO që nga viti 1967. Kjo ditë ka për qëllim të theksojë rëndësinë e shkrim-leximit si një e drejtë themelore e njeriut dhe si bazë për arsimim dhe zhvillim shoqëror.
Edhe pse është bërë progres i madh gjatë dekadave të fundit, miliona njerëz në botë ende nuk dinë të lexojnë apo të shkruajnë, gjë që kufizon mundësitë e tyre për arsim, punësim dhe pjesëmarrje të plotë në shoqëri. UNESCO thekson se investimi në shkrim-lexim është investim në të ardhmen, duke fuqizuar individët dhe komunitetet.
Sipas Regjistrimit të Popullsisë, Kosova ka 30,902 persona që nuk dinë shkrim-lexim, që përbën 2.27% të popullsisë mbi 10 vjeç. Pra, analfabetizmi po bie, por nuk është zhdukur.
Ne, duhet të kujtojmë se shkrim-leximi nuk është vetëm një aftësi, por një mjet fuqizues që hap dyert për më shumë njohuri, barazi dhe zhvillim.







