Sivjet, 2021, është vera e dytë që po e gjen globin duke u përballur me pandeminë e shkaktuar nga CoViD-19. Megjithatë, këtë verë kudo në botë kemi një situatë më të lehtësuar, kjo falë vaksinimit të një numri të madh të popullatës globale, mirëpo shfarosja e CoViD-19, duket që do të jetë e pamundur edhe për një kohë. Prandaj, edhe më tutje profesionistët shëndetësorë bëjnë apel që edhe këto pushime verore t’i shijojmë duke respektuar edhe më tutje masat anti-kovid. Këtë apel, përmes frekuencave të Radio KFOR-it e ka bërë edhe një herë pulmologu, Dr. Arbër Ismaili: “Jemi në kohën e procesin të vaksinimit, ju këshilloj të gjithëve të lajmëroheni në qendrat vaksinimit edhe pse numri i rasteve me COVID -19 është zvogëluar, ju këshilloj që të vazhdoni të respektoni masat anti-covid siç janë: Mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura, mbajtja e distancës sociale dhe higjiena e duarve.”
Siç ka njoftuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, brenda 24 orëve të fundit, numri i përgjithshëm i testimeve ka qenë 2.112 nga të cilët 8 kanë rezultuar raste pozitive, në ndërkohë numri i përgjithshëm i vaksinimeve në Kosovë është mbi 130 mijë persona.