Çdo vit “Dita Ndërkombëtare për Ruajtjen e Shtresës së Ozonit”, shënohet me datën 16 shtator, një ngjarje kjo që ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së ozonit.
Në përpjekjet e gjithë botës për të hequr gradualisht konsumin dhe prodhimin e substancave të ndryshme që shkatërrojnë ozonin, më 16 shtator të vitit 1987, u nënshkrua “Protokolli i Montrealit, mbi Substancat që Hollojnë Shtresën e Ozonit”, i cili ka kontribuar gjithashtu edhe në mbrojtjen e shëndetit të njerëzimit dhe shmangien e humbjeve ekonomike.
Pra, shënimi i “Ditës Ndërkombëtare për Ruajtjen e Shtresës së Ozonit” është një mundësi për të promovuar dhe për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së shtresës së ozonit, e cila është thelbësore për jetën në Tokë, pasi thith shumicën e rrezatimit të dëmshëm UV të Diellit. Pa të, ne do të përballeshim me rreziqe në rritje të kancerit të lëkurës, katarakteve dhe çështjeve të tjera shëndetësore si dhe ndikimeve negative në ekosistem.







