20 dhjetori shënon ‘Ditën Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor’, si një prej vlerave më fondamentale që duhet të përcaktojë raportet mes njerëzve, veçanërisht në këtë kohë pandemie, aspak të lehtë.
Për ta shënuar këtë ditë, Radio KFOR-i ka kontaktuar vullnetaren 23 vjeçare nga Gjilani, Miranda Veseli, e cila pak ditë më parë ka fituar çmimin ‘Vullnetarja e Vitit’ nga organizata “Let’s Do It Kosova”, për angazhimin e saj vullnetar në kohë të pandemisë dhe solidaritetit ndaj njerëzve në nevojë: “Gjatë kohës së pandemisë, kur për të gjithë virusi Covid-19 ishte i panjohur, unë jam angazhuar si vullnetare në grupin ‘Vullnetarët Kundër Covid-19’. Puna si vullnetare nuk ishte e lehtë, përkundër angazhimit në profesionin tim, por kjo më bënte të ndihem mirë, kur u lajmëronin njerëzit me vullnet të mirë dhe fituan besimin tek unë, e ndihmonin familjet. Çdo falënderim e urim nga familjet më jepte vullnet të vazhdoj tutje edhe pse kishte shumë herë sfida jo të lehta. Porosia ime është që të ndihmoni sa më shumë. Këtë prononcim po e përmbyll me thënien e të madhes, Nëna Terezë: Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Rezoluta për shënimin e ‘Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit Njerëzor’, është miratuar në vitin 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e cila po ashtu krijoi Fondin Botëror të Solidaritetit, me qëllim që të luftohet varfëria dhe të promovohet zhvillimi social. Për këtë ditë kërkohet që të shpërndahen foto me mesazhe që nxisin solidaritetin dhe qëndrimin e njerëzve së bashku.