Sot, në kalendarin e datave të rëndësishme, Kombet e Bashkuara kanë ndarë 18 qershorin, si ‘Ditën e Gastronomisë së Qëndrueshme’, një ditë kjo për të vlerësuar dhe ngritur vetëdijen e rëndësisë së ushqimit dhe mënyrës se si kultivohet dhe përgatitet ushqimi, pa qenë e dëmshme për mjedisin dhe shëndetin tonë. Gjatë pandemisë, gastronomia është përballur me sfida të shumta duke ndërprerë punën e gastronomëve dhe rrjedhimisht edhe të ardhurat financiare nga kjo fushë.
Rreth kësaj dite, Radio KFOR-i ka zhvilluar një intervistë me Kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, z. Veton Zuka, i cili tregoi për problemet me të cilat janë ndeshur gastronomët gjatë kësaj periudhe të pandemisë: “Gjatë pandemisë, shumë biznese të mbyllura kanë hasur në probleme ekonomike dhe ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në të ardhurat e tyre dhe në punën e tyre. Gastronomia duke përfshirë edhe korporata të mëdha, gjatë kohës së pandemisë kanë pësuar humbje milionëshe. Tash, pas një hapje më të madhe nga masat anti-covid, shihet një pozitivitet dhe një situatë më e mirë.”
Në nivel global gjatë pandemisë është raportuar që për shkak të mbylljes së veprimtarisë së gastronomisë, me miliona persona kanë humbur punën, duke krijuar vështirësi të mëdha ekonomike, duke prekur edhe ekonomitë familjare.