Që nga viti 2005, Kombet e Bashkuara miratuan propozimin e shënimit të ditës në përkujtim të viktimave të trafikut rrugor, e cila shënohet të dielën e tretë të muajit nëntor.
Kjo ditë shënohet me qëllim të përkujtimit të miliona njerëzve që humbin jetën në aksidente trafiku, në mbarë globin. Në ditën e sotme dërgohen mirënjohje dhe falënderime për të gjitha shërbimet emergjente, të cilat punojnë pa u ndalur në përpjekjet e tyre për të shpëtuar jetë njerëzish, të cilët janë përfshirë në aksidente rrugore.
Përmes “Ditës Botërore të Përkujtimit të Viktimave të Trafikut Rrugor” synohet sensibilizim i shoqërisë dhe institucioneve përkatëse, që të punojnë edhe më tutje në përmirësimin e legjislacionit dhe infrastrukturës për të ndihmuar dhe shpëtuar sa më shumë familje nga dhembja dhe tragjedia që pësojnë me rastin e humbjes së më të dashurve të tyre.