‘Dita Botërore e Lirisë së Shtypit’ anë e mbanë botës festohet çdo vit, me datën 3 maj. Këtë vit shënohet 30-vjetori i kësaj dite ndërkombëtare, e shpallur nga OKB. Tema e sivjetme e përcaktuar nga UNESCO e cila shënon këtë ditë, është “Formimi i një të ardhmeje të të drejtave: Liria e shprehjes si shtytës për të gjitha të drejtat tjera të njeriut.”
Çdo vit që nga viti 1997, UNESCO nderon me ‘Çmim Botëror të Lirisë së Medias, Guillermo Cano’, punën e një individi apo të një organizate për të mbrojtur apo promovuar lirinë e shprehjes, veçanërisht në qoftë se ajo e vë jetën e individit në rrezik.
Edhe në Kosovë Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), sot më 3 maj, do të shënoj ‘Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit’. AGK do të organizoj disa aktivitete me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e lirisë së medias dhe respektimit të lirisë së shprehjes. “Protect Journalists, Defend the Truth (Mbroni gazetarët, mbroni të vërtetën”, është kjo motoja e kampanjës së Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës për shënimin e ‘Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit’, këtë vit.