“Dita Botërore e Habitatit” festohet, çdo vit, të hënën e parë të muajit tetori, që nga viti 1985, kur u krijua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i “Ditës Botërore të Habitatit”, është reflektimi mbi gjendjen e qyteteve dhe mbi të drejtën themelore të të gjithëve për strehim adekuat, duke treguar se të gjithë kemi fuqinë dhe përgjegjësinë për të formësuar të ardhmen e qyteteve tona.
Në lidhje me këtë ditë Radio KFOR-i kontaktoi një dëgjues të Radio KFOR-it, Z. Alber Mehmeti: “Nuk e paskam ditur që shënohet një ditë e tillë, por mendoj se të gjithë duhet të punojmë që të kemi një strehë e hapësirë të sigurt, ushqim, ujë, infrastrukturë dhe gjëra të tjera elementare për jetë.”
Edhe dëgjuesi tjetër i Radio KFOR-it, Z. Shpëtim Krasniqi, në lidhje me këtë ditë, kishte këtë mendim: “Mund të them se edhe ne si qytetarë kemi përgjegjësi në krijimin e kushteve sa më të mira për jetesë, për ne dhe për gjeneratat e ardhshme.“
Për çdo vit për të shënuar “Ditën Botërore të Habitatit”, shtjellohet një temë e re, ndërsa tema e këtij viti, është zgjedhur “Strehim për të gjithë; për një urbanizëm më të mirë”.