Fëmijët e sot po rriten mes telefonave inteligjentë, tabletëve dhe internetit, ku një pjesë e madhe e kohës së tyre u kalon para ekraneve. Por, si po ndikon kjo në zhvillimin e tyre? – Sot, më 20 nëntor shënohet ‘Dita Botërore e Fëmijëve’, e cila vë në pah të drejtat, mirëqenien dhe të ardhmen e tyre. Në epokën digjitale, teknologjia ofron mundësi të shumta për mësim, kreativitet dhe komunikim, por njëkohësisht po sjell edhe rreziqe.
Përdorimi i tepërt i pajisjeve elektronike po ndikon në gjumë jo të mirë, përqendrim jo të mirë dhe mungesë të aktiviteteve fizike tek fëmijët. Por kjo nuk është e tëra, pasi që edhe përmbajtjet e papërshtatshme dhe ngacmimet në internet përbëjnë sfida të tjera për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Prandaj, prindërit dhe shkollat kanë një rol të rëndësishëm në edukimin digjital, duke i ndihmuar fëmijët të përdorin teknologjinë në mënyrë të sigurt dhe të përgjegjshme.
Në këtë ditë ‘Botërore të Fëmijëve’, mesazhi është i qartë për të gjithë fëmijët, që ata kanë të drejtë të përfitojnë nga mundësitë e botës digjitale, por edhe të kenë kohë për lojë, miqësi, komunikim dhe një fëmijëri të shëndetshme.







