“Piano Chopin Fest Prishtina” nis sivjet edicionin e dhjetë të festivalit pianistik, me artistë të shumtë që vijnë nga Europa për të bërë muzikë për 20 ditë në Prishtinë.
Festivali pianistik fillon më 8 prill dhe zgjat deri më 28 prill. Pianistët e shquar vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk do të luajnë vetëm veprat e kompozitorit dhe pianistit, Frederik Chopin por edhe klasikë të tjerë dhe artistë bashkëkohorë.
Për çdo natë parashihen koncerte nga muzikantët që do të vijnë nga Shqipëria, Maqedonia, Franca, Austria, Gjermania, Zvicra, Italia, Hungaria, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia.
Përveç koncerteve, programi parasheh komponentën e edukimit dhe do të mbahen ligjërata, seminare dhe masterclasse të ndryshme.
Në edicionin e dhjetë të festivalit, po ashtu parashihet edhe një çmim special për një pianist të ri që mund të ketë një recital të koncertit në Gjermani, mundësi unike për një talent që të ketë edhe masterklas në një universitet të zgjedhur gjerman.