Festivali ndërkombëtar i vallëzimit dhe artit ‘New Born Festival’, po rikthehet në Kosovë për edicionin e katërt, me pjesëmarrje nga dhjetë vende të ndryshme. Festivali do të mbahet nga data 8 deri më 12 korrik, në Prishtinë, Prizren dhe Deçan.
Ky edicion organizohet nga Federata Ndërkombëtare për Art dhe Vallëzim (FIDAF) dhe sjell mbi 350 artistë ndërkombëtarë, që do të prezantojnë valle dhe kultura të vendeve të tyre përmes performancave publike në sheshet dhe hapësirat kryesore të qyteteve pritëse.
Deri tani janë konfirmuar pjesëmarrës nga vende si Spanja, Argjentina, Italia, Polonia, Bullgaria, Kili, Guinea Conakry dhe të tjera. Nga Guinea Conakry do të performojë grupi i njohur Groupe Artistique Baga Fote, ndërsa nga Polonia vjen ansambli Mystkowianie, një grup me mbi 100 artistë, që përfaqësojnë folklorin polak.
Sipas organizatorëve, festivali synon të promovojë vlerat e diversitetit kulturor përmes vallëzimit dhe të krijojë ura bashkëpunimi përmes artit skenik.







