Ditëve të fundit, Kosova ka hyrë në një trend pozitiv sa i përket përfundimit të pandemisë ‘CoViD – 19’. Kjo pasi për një javë të plotë, numri i rasteve të shëruara ka qenë dukshëm më i lartë, se sa i rasteve të reja të konfirmuara. Një gjë e tillë ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të marrë vendimin, i cili u lejon qytetarëve që të dalin tri orë gjatë ditës për kryerjen e punëve dhe shërbimeve të ndryshme.
Specialisti i Infektologjisë, Dr. Valbon Krasniqi, për Radio KFOR-in ka thënë se jemi në rrugë të mbarë që të dalim mirë me këtë pandemi dhe shtoi: “Ky numër i vogël i rasteve të konfirmuara është rezultat edhe i sjelljes së qytetarëve dhe disiplinës që kanë treguar gjatë kësaj kohe. Prandaj, mendoj që qytetarët duhet të jenë të durueshëm edhe për pak kohë dhe të vazhdojnë t’i respektojnë rekomandimet tona. Megjithatë, ne duhet ta dimë se ende jemi në kohë të pandemisë. Këshilla jonë si mjekë është që qytetarët të vazhdojnë të mbulojnë hundën dhe gojën me shami apo maskë kur dalin jashtë shtëpive të tyre. Të vazhdojnë të mbajnë kujdesin e higjienës personale, në veçanti larjen e duarve me sapun dhe ujë apo dezinfektues. Të shmangin kontaktet me persona të tjerë, që s’janë anëtarë të familjes së tyre, të ruajnë distancën fizike dhe as që diskutohet grumbullimi i njerëzve në masë, sepse nuk lejohet.”
Zbutjen e masave të lirisë së lëvizjes e ka mirëpritur edhe psikologia klinike, Antigona Qenaj, e cila përmes Radio KFOR-it i udhëzon qytetarët që ta shfrytëzojnë në mënyrë sa më produktive kohën jashtë shtëpive të tyre. “Si pasojë e izolimit dhe distancimit social kemi pasur edhe efektet negative te popullata, të shfaqura në formën e ankthit dhe depresionit. Me relaksimin e këtyre masave nga Ministria e Shëndetësisë ka filluar edhe një lloj relaksimi psikologjik te popullata. Rekomandoj, që duke i respektuar masat mbrojtëse të Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët të shfrytëzojnë këto masa, këtë liri, që të dalin, të marrin diellin dhe bukuritë e natyrës, sepse ka efekt psikologjik. Janë shumë të mirëseardhura shëtitjet në natyrë apo aktivitetet fizike sepse energjia që është akumuluar kur kemi qenë në izolim, duhet të shkarkohet”, tha zonja Qenaj.
Kompania e njohur ‘JYSK’ është një nga bizneset që është lejuar të fillojë punën me konsumatorë që nga data 4 maj, por duke respektuar maksimalisht rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë dhe Ministrisë së Shëndetësisë: “Për çdo klient, ne i kemi edhe rregullat tona nëpër dyqane, po kërkoj edhe përmes radios suaj që secili klient i yni t’i respektojë rregullat, sepse është në interesin e tyre, të punëtorëve dhe të gjithë qytetarëve. Apeloj që të kenë kujdes, sepse çdo kujdes i yni bën që ta kalojmë pandeminë më lehtë. Është një person fizik përgjegjës në dyqane që i udhëzon klientët si të veprojnë. Nëse nuk ka maskë, ne i japim maskë. Pra mundohemi që ta bëjmë punën sa më të përshtatshme dhe të sigurt. Dyqanet tona janë të mëdha dhe ne e kemi të caktuar se sa persona duhet të ketë një dyqan në të njëjtën kohë”, tha për Radio KFOR-in biznesmeni dhe njëherazi pronari i kësaj kompanie, Fatmir Zymberi.
Edhe disa qytetarë mendojnë se rekomandimet e dhëna për parandalimin e përhapjes së pandemisë duhet të vazhdojnë të respektohen maksimalisht dhe për Radio KFOR-in, ata deklaruan:
“Unë jam Dafina. Lajmet e ditëve të fundit të Institutit të Shëndetit Publik na kanë dhënë shpresë se së shpejti gjithçka do të kthehet në normalitet. Të kemi durim edhe pak, që më pas të gëzojmë bashkë këtë që kemi arritur me përkushtim e disiplinë.”
“Unë jam Besniku. Ne bashkërisht me një kujdes të jashtëzakonshëm, sidomos të qytetarëve, të cilët duhet t’i përgëzoj për angazhimin e tyre e kemi larguar sa më shpejt këtë virus prej familjeve dhe shtëpive tona, megjithëkëtë për ta larguar përfundimisht virusin ne duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm edhe gjatë ditëve tjera, sepse nuk guxojmë assesi të kemi komoditet të tepruar dhe të mendojmë që virusi më nuk është në mesin tonë.”
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të jemi të vëmendshëm kur dalim jashtë shtëpive apo në vendet tona të punës dhe assesi të mos kontribuojmë në përhapjen më të madhe të koronavirusit. Për këtë është rekomanduar që aktualisht të kryhen vetëm punët dhe shërbimet e domosdoshme, t’u ofrohen kushte dhe siguri maksimale punëtorëve si dhe të ketë sa më pak kontakt fizik mes njerëzve.