Rrjeti më i madh i kinemave në vend Cineplexx, që operon në Kosovë që nga viti 2016, tashmë është kthyer në atraksion për shumë qytetarë, duke sjellë në kohë rekorde në ekranin e madh premierat më të mëdha filmike botërore edhe në Kosovë. Radio KFOR-i tash e disa vite, ka bashkëpunim të shkëlqyer më këtë rrjet të kinemave, duke dhuruar edhe bileta falas për dëgjuesit tanë. Rreth punës së kësaj kinemaje, premierave filmike dhe planeve të afërta, sot të ftuar në studion e Radio KFOR-it, kishim menaxherin e marketingut në Cineplexx, Dëfrim Puka: “Në kinemanë Cineplexx jam i angazhuar që nga viti 2016, që nga themelimi dhe deri më tani kemi pasur mbi 2 milion vizitorë në kinematë tona, në Prishtinë dhe Prizren. Jemi të lumtur që nëpërmes punës sonë, kontribuojmë në edukimin e brezave të rinj, nëpërmes filmave që shfaqën në kinematë tona dhe kanë mesazhe të mira për fëmijë dhe të rritur. Në ditëlindjen e 6-të të Cineplexx-it, do të organizohet një festë e madhe në të dy kinematë. Për nder të shënimit të 6-vjetorit, të dielën me 11 dhjetor, të gjitha biletat do të jenë 2 euro, duke përfshirë edhe ulëset VIP, po ashtu do të jenë 11 filma që do të shfaqen gjatë kësaj dite, për të gjitha grup moshat dhe nga zhanre të ndryshme, do të kemi aktivitete për fëmijë, facepainting (Ngjyrosje të fytyrës), maskota, pastaj edhe shpërblime për klientët tanë.”
Z. Puka, tregoi po ashtu se javën e ardhshme do të sjellin një pre-premierë të filmit të shumë pritur ‘Avatar’, që në kinemanë Cineplexx do të shfaqet dy ditë para se të shfaqet në tregun e kinemave në Amerikë dhe për këtë kinema, është privilegj të kenë mundësinë të shfaqin këtë premierë edhe para shumë vendeve në Evropë. Në fund të intervistës, z. Puka pati edhe një porosi për të gjithë të rinjtë që të punojnë sa më shumë, të sfidojnë veten dhe të kenë guxim, pasi edhe gabimet na bëjnë më të fortë përballë sfidave.
Rrjeti i kinemave Cineplexx, është kthyer në një nga aktivitetet më të rëndësishme të qytetarëve në vend, duke sjellë çdo javë premiera filmike botërore në ekranin e kinemave të tyre, për të gjithë artdashësit.







