Depresioni, humor i ulët, ndjenja e mungesës së shpresës, ankthi social, vetmia, vetëvlerësim i ulët dhe izolimi, janë këto disa nga problemet shëndetësore të cilat shpesh lidhen me stresin, që fëmijët dhe adoleshentët, mirëpo nganjëherë edhe të rriturit e përjetojnë nga bullizimi apo ngacmimi në shoqëri.
E premtja e fundit e muajit shkurt shënon “Ditën Ndërkombëtare Kundër Bullizmit”, pikërisht për të rritur ndërgjegjësimin e parandalimit të bullizmit, e cila është një dhunë psikologjike ose fizike e ushtruar vazhdimisht nga një grup individësh kundrejt një individi tjetër.
Në fakt “Dita Ndërkombëtare Kundër Bullizmit” është një ngjarje që zhvillohet dy herë në vit, në muajin shkurt dhe në muajin nëntor dhe përkon me “Javën Kundër Bullizmit”.
Fenomeni i bullizmit është një dukuri e vjetër, e cila përbëhet nga lloje të ndryshme të ngacmimit, si: bullizmi fizik, verbal, emocional si dhe tani viteve të fundit edhe ngacmimi në rrjete sociale apo elektronik.
Kryesisht nxënësit që ngacmojnë të tjerët kanë vetë probleme dhe përgjithësisht janë të pakënaqur me jetën e tyre. Këta nxënës gjithmonë duhet të përballen me pasojat për veprimet e tyre, por gjithashtu kanë nevojë për mbështetje për të ndryshuar sjelljet e tyre dhe për të gjetur mënyra më të mira për të marrë atë që duan për t’u ndjerë mirë me veten e tyre.
Trajtimi efektiv i bullizmit ka përfitime për të ardhmen e të gjithëve.