Minat dhe eksplozivët e mbetur nga luftërat vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e miliona njerëzve, veçanërisht në vendet që kanë përjetuar konflikte të gjata. Çdo vit, më 4 prill, bota shënon “Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Minat”, një nismë kjo e Kombeve të Bashkuara, për të rritur ndërgjegjësimin mbi rreziqet e minave tokësore dhe eksplozivëve të pashpërthyer. Kjo ditë, shërben gjithashtu si një thirrje për mbështetje ndaj viktimave dhe përpjekjeve për pastrimin e zonave të rrezikuara.
Sipas OKB-së, çdo vit mijëra persona, shumë prej tyre fëmijë, lëndohen ose humbin jetën nga këto armë të fshehura.
Në këtë ditë, organizata humanitare dhe qeveritë zhvillojnë fushata sensibilizuese, trajnime mbi sigurinë dhe programe për çminimin e territoreve të rrezikuara. Mesazhi kryesor i kësaj dite është “Asnjë jetë nuk duhet humbur nga minat, sepse siguria dhe paqja janë të drejta për të gjithë!”.







