Data 11 prill është rezervuar tashmë nga disa të rinj vullnetarë të Hanit të Elezit në bashkëpunim me OJQ “Ec ma ndryshe”, për një aktivitet shumë të veçantë dhe të dobishëm për ambientin.
Me qëllim të krijimit të një ambienti sa më pozitiv, këta të rinj e të reja do të ngjyrosin ulëset, rrethojat e drunjve dhe shportat e mbeturinave në Parkun e Komunës përkatëse, mirëpo këtij aktiviteti mund t’i bashkëngjiten të gjithë vullnet mirët. Radio KFOR-i ka kontaktuar Natyra Kalisin, e cila është nismëtare e këtij projekti dhe na tregoi më shumë rreth tij:
“Gjatë pjesëmarrjes në trajnim me organizatën ‘ECMaNdryshe’, kam iniciuar këtë projekt, ndaj kemi organizuar ngjyrosjen e Parkut te Qytetit edhe duke ftuar pjesëmarrës të rinj dhe të reja, mirëpo edhe grupmosha të tjera nga komuna ime. Qëllimi i këtij projekti nuk është vetëm ngjyrosja e Parkut të Qytetit, por gjithashtu është promovimi i punës vullnetare dhe aktivizmit për një shoqëri më pozitive dhe aktive njëkohësisht”, njoftoi znj. Natyra.
Ajo bisedën e përmbylli me thënien e ish presidentit të SHBA-së, John F. Kennedy e cila tha se duhet të jetë edhe moto rinisë “Mos pyet se ç’bënë vendi për ty, por ç’mund të bësh ti për vendin”.