Nga një hapësirë e thjeshtë për të mbajtur vetëm kontakte me miqtë, rrjetet sociale u kthyen në mjetin më të fuqishëm që lëviz botën. Sot më 30 qershor, shënohet ‘Dita e Rrjeteve Sociale’, një moment reflektimi mbi atë se si platformat digjitale e zvogëluan planetin dhe e kthyen informacionin në diçka të menjëhershme.
E nisur si iniciativë në vitin 2010 nga faqja e njohur e teknologjisë “Mashable”, kjo ditë u krijua për të njohur dhe festuar mënyrën se si rrjetet sociale ndërlidhën botën dhe thyen barrierat gjeografike. Që nga ajo kohë, platformat si Facebook, Instagram, X (ish-Twitter), TikTok e të tjera, kanë evoluar nga hapësira të thjeshta për biseda virtuale në rrjete që diktojnë trendet dhe tregjet globale.
Në epokën tonë, rrjetet sociale luajnë një rol kyç edhe në sferën e gazetarisë dhe medias, duke mundësuar që lajmi të mbërrijë te konsumatori në mënyrë të menjëhershme. Megjithatë, përtej avantazheve të padiskutueshme në ndërlidhjen e njerëzve, kjo ditë vë theksin edhe te sfidat globale që sjell ky revolucion, siç janë luftimi i lajmeve të rreme (fake news), mbrojtja e privatësisë së të dhënave dhe ruajtja e shëndetit mendor përballë varësisë digjitale.







