Policia e Kosovës vazhdon të mbikqyrë nëse masat kundër Covid-19 po respektohen në Kosovë. Së fundmi, PK ka asistuar inspektorët e AVUK-ut, të cilët kanë inspektuar lokalet ne zonën e Drejtorisë Rajonale në Pejë. Këtë e konfirmon për Radio KFOR-in edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili tha:
‘’Në zbatim të masave dhe reagim në bazë të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, Policia e Drejtorisë Rajonale në Pejë, së bashku me inspektorët e AVUK-ut, kanë inspektuar lokalet në zonën e përgjegjësisë të Rajonit të Pejës. Njësitet Policore së bashku ne inspektorët e AVUK-ut, kanë inspektuar gjashtëdhjetë e një (61) lokale në këtë zonë. Gjatë inspektimit janë mbyllur nga inspektorët tri (3) lokale, janë shqiptuar katër (4) gjoba për persona juridik, dhe shtatëdhjetë e tri (73) gjoba për persona fizik”, theksoi z. Kelani, duke kujtuar që gjatë vitit 2021 në Kosovë, mbi 300 mijë qytetarë janë dënuar për shkelje të masave anti-Covid.
Policia e Kosovës me këtë rast apelon tek te gjithë qytetarët që t’i respektojnë vendimet e Qeverisë dhe të IKSHPK-së, sepse në të kundërtën, siç pohon PK, toleranca do të jetë zero.
Ndërkohë, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në një takim të realizuar së fundmi në IKSHP, theksoi se nga zbatimi i masave në fuqi varen edhe vendimet në të ardhmen, duke theksuar se shëndeti i qytetarëve është prioriteti i parë për MSh-në, pa lënë anash edhe funksionimin e veprimtarive të tjera të rëndësishme ekonomike, sociale e kulturore, të cilat janë të ndërlidhura me zbatimin e masave kundër COVID-19.