Respekti është një nga aftësitë më të rëndësishme, themelore që një fëmijë mund të mësojë ndonjëherë. Ndjenja e respektit është thelbësore për të pasur sukses në shkollë, për të mbajtur një punë dhe për të pasur marrëdhënie të mirë me të rriturit. Vendi i parë që fëmijët mësojnë respekt, është shtëpia, kështu që është përgjegjësi e prindërve që t’ua mësojnë këto aftësi qysh nga mosha e hershme dhe ti praktikojnë këto përgjegjësi të respektit, edukatës dhe humanizmit vazhdimisht tek fëmijët e tyre.
Se sa punojnë në këtë drejtim prindërit me fëmijët e tyre? – Radio KFOR-i kontaktoi, zonjën Xhyzide Dedushi, e cila tregoi se ka katër fëmijë: “Si nënë, unë e kam për obligim që përveç dashurisë t’i mësoj se çka është respekti për prindër, për familjarë, për shoqërinë si dhe për rrethin ku jetojnë dhe veprojnë.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe zonja tjetër, Igballe Peci, e cila po ashtu ka katër fëmijë: “Unë si nënë jam shumë e lumtur që deri më tani, fëmijët e mi kanë respekt për të tjerët. Kam investuar shumë kohë dhe mund që fëmijët e mi t’i mësojë të jenë të ndershëm dhe të dashur.”
Duke i mësuar fëmijët për respektin ndaj njëri tjetrit, ne i mësojmë ata se si të ndërtojnë ura për t’u argëtuar me shokë, me ekip si dhe të mësohen të jenë partnerë të drejt për një qëllim të përbashkët.