Nëntë nga dhjetë persona me probleme të shëndetit mendor preken edhe nga stigma për diagnozën e tyre. Për të tejkaluar stigmën, edukimi duhet të mbështesë rritjen e njohurive mbi sëmundjet mendore, pasi shumë ndjenja ndaj njerëzve me probleme të shëndetit mendor, formohen nga mungesa e njohurive dhe ekspozimi i tepërt ndaj shembujve negativë.
Se si duhet të veproj një individ me probleme të lartpërmendura, Radio KFOR-i bisedoi me Psikologun, Dorjan Krasniqi, i cili tha: “Shëndeti në përgjithësi, përfshirë shëndetin mendor, nuk nënkupton vetëm mungesën e sëmundjes, por një Interval me shtrirje pakufi. Njerëzit si qenie me vetëdije dhe intelekt, natyrisht që posedojnë mekanizmat e tyre mbrojtës, për të reduktuar disbalancin e shëndetit mendor, por kjo natyrisht që ndonjëherë tejkalon aftësitë e mekanizmave tonë mbrojtës dhe në këtë mënyrë shëndetit tonë mendor i kanoset një kërcënim. Kur gjendja jonë e tillë e disbalancit, e pakënaqësisë, e mërzisë së zgjatur, vazhdon me ditë të tëra, atëherë ky është një tregues që personi ka nevojë për shërbime profesionale të ofruara nga punonjësit e shëndetit mendor, si: psikologu, psikoterapisti, psikiatri, etj. Këta persona janë të shkolluar dhe edukuar dhe me përvojën e tyre lehtësojnë procesin e ri-balancimit të shëndetit mendor.”
Nëse jeni duke luftuar me ndonjë shqetësim të lartpërmendur, mos e humbni shpresën, nuk jeni të vetëm dhe binduni që ka trajtime efektive!