Dhoma e ndenjës, është vendi ku mblidhet familja apo vendi ku e kalojmë pjesën më të madhe të kohës sonë. Ky është vendi ku familja pranon mysafirë dhe kalon kohën duke u shoqëruar me miqtë, të afërmit apo fqinjët. Për këto arsye të lartpërmendura, nga të gjitha dhomat në shtëpitë tona, dhoma e ndenjes fiton ekspozimin më të madh. Si çdo projekt i suksesshëm, ekziston një strategji dhe një plan edhe për dekorimin e shtëpisë, por në këtë rast edhe për zbukurimin e dhomës së ndejës dhe më poshtë këtij artikulli, mund ti gjeni disa këshilla për dekorime nga ekspertët e dizajnit interier:
- Ne duhet të bëjmë shumë punë kërkimore para se të vendosim për pamjen e dhomës tonë, thjesht duhet kalojmë nëpër disa revista ose katalogë dhe të kërkojmë për modelet, ngjyrat ose stilet për të cilat dëshirojmë ti kemi në shtëpi.
- Ndriçimi luan një rol të rëndësishëm në suksesin e dekorimit, meqë krijon një ambient të mirë. Drita i shton shkëlqimin dhomës, duke e bërë edhe gjendjen tonë emocionale të shkëlqejë, meqenëse këto detaje nxisin shqisat tona dhe rrisin nivelet e oksitocinës, që janë përgjegjëse për gëzimin tonë emocional. Gjithashtu, qirinjtë me aromë mund të sjellin një shkëndijë shtesë në dhomë.
- Zgjedhja e mobiljeve të duhura, është po aq thelbësore për rehatinë tonë të përditshme. Nuk preferohet që mobiljet të vendosen të rreshtuara në mur dhe që ato të jenë shumë të mëdha, pasi që hapësira e dhomës do të duket më e vogël nga ky lloj rregullimi.
- Një gjë tjetër e rëndësishme është përdorimi i perdeve të duhura. Kryesisht, duhet të zgjedhim perde, që nuk e humbin ndriçimin e shtëpisë.
- Dyshemeja është gjithashtu një gjë tjetër që duhet të kihet parasysh. Duhet të kujdesemi që dyshemeja të ketë një ngjyrë të ngjashme ose një hije pak më të errët se muret.
- Duhet të kemi parasysh që të lëmë sasi të duhur të hapësirës së lirë për funksionimin e aktiviteteve të përditshme, përndryshe dhoma do të duket si një dyqan mobiljesh.
- Një kujdes të veçantë duhet ta kemi edhe me aksesorët, pasi që ato duhet të vendosen në atë mënyrë pa e ngarkuar dhomën.
- Nuk duhet harruar bimët ose ndonjë florë dekoruese, për ti siguruar dhomës së ndejës një lloj bukurie natyrore.
Prandaj, është e rëndësishme të planifikojmë mirë se çfarë mobilje duhet të vendosim në dhomën e ndenjës, para se ti blejmë ato ose do të duhet të jetojmë me zgjedhjen tonë të pa planifikuar mirë, për vite të tëra.